Parku eshte i hapur :nga 8:00 deri në 19:30

Eksploro Butrintin

Eksploro Butrintin

Butrinti, zanafilla, pozicioni gjeografik dhe strategjik

 

Butrinti është përshkruar si një mikrobotë e historisë së Shqipërisë. Falë vendosjes së tij strategjike, Butrinti ka figuruar në historinë e Mesdheut që nga lufta e parë e Peloponezit në shekullin e 5-të para Kr. e deri në luftrat e Napoleonit në shekullin e 19-të. Monumentet e tij të ndërtuara gjatë periudhave të ndryshme historike pasqyrojnë këtë histori të gjatë dhe komplekse. Kjo histori e gjatë vendosjeje ka qenë e influencuar fuqishëm nga ndryshime të vazhdueshme të mjedisit: në mënyrë të veçantë depozitimet e ngadalta në gjirin e detit, që dikur shkonin drej veriut në vendin e qytetit Kaon Foinike dhe në jug deri në qytetin e fortifikuar Cuka e Ajtoit. Ky tranzicion nga deti tek moçali dhe rrjedhimisht në tokë përcaktoi ndryshime në vendosjen e banimeve, porteve, bujqësisë dhe industrisë për shumë e shumë mijëvjeçarë.

 

Rreth 18 000 vjet më parë, relievi përreth Butrintit ishte shumë i ndryshëm nga sot. Niveli i detit ishte shumë më i ulët dhe ishulli i Korfuzit ishte i bashkuar me kontinentin. Pas 9 000 vjetësh, ndoshta nga lëvizjet tektonike, niveli i detit u ngrit dhe kodrat përreth, si Xarra, Shëndëllia, Shënmitri dhe Kalivoja, u kthyen në ishuj të vegjël. Që nga ajo kohë lumenjtë dhe shirat kanë bartur baltë dhe lym nga malet, duke i depozituar në bregdet. Sipërfaqe, që dikur ishin det, u kthyen gradualisht në kënëta me ujë të kripur dhe, në një fazë të mëvonshme, në tokë të thatë. Zbulimi i veglave prej guri dhe stralli në këto ishuj dëshmon se kjo zonë ka qënë e banuar që në epokën e paleolitit.

 

Butrinti është një vend magjik. Atmosfera e tij speciale është krijuar nga kombinimi i arkeologjisë me natyrën, gjë që nuk gjendet asgjëkundi në Mesdhe. Butrinti, Buthrotum-i antik i shtrirë rreth 3 km nga ngushtica e Korfuzit, është vendosur në një kodër të vogël, rrethuar nga  ujrat e liqenit të Butrintit, që lidhet me detin Jon nga kanali i Vivarit. Në jug Butrinti shtrihet në një distance, ku asgjë nuk ta shqetëson syrin veç disa fshatra të vogla shqiptare. Në veri dhe në lindje liqeni dhe toka rrethohen nga male të larta. Ishulli i Korfuzit mbyll pamjen në perëndim.

 

Legjendat

 

Pjesë e historisë së qytetit antik janë dhe legjendat e ndryshme të tramsetuara nga Homeri dhe Virgjili, si ajo e themelimit të Butrintit nga mërgimtarët trojanë, pas rënies së Trojës në shekullin e 13-të para Kr. Poeti i oborrit romak gjatë periudhës agustiane, Virgjili, shkroi për vizitën e Eneas, themeluesi legjendar i Romës, në Butrint, në poemën e tij epike Eneidet. Sipas saj, “Enea takon trojanin Helen (djalin e mbretit Priam), që kishte marrë për grua Andromakën, të venë e Hektorit dhe që nga vdekja e Pirro Neoptolemit, ishte bërë mbret i krahinës së Kaonisë”. Etimologjia e emrit Buthrotos sipas legjendës lidhet me qytetin që themeloi Heleni, në vendin ku ra i plagosur një dem. Historia e Butrintit lidhet edhe me legjenda të tjera, si ajo e vdekjes së Panit dhe klithmës së nimfave si dhe ajo e varrimit të Medeas.

 

FILLESAT E  POPULLIMIT NË BUTRINT

 

Dëshmia më e hershme e popullimit të Butrintit, daton rreth shekullit të 12-të para Krishtit, por vendbanimi do të lulëzontë vetëm pas shekullit të 8-të para Kr. Nga gërmimet e bëra në Akropol, është zbuluar krahas qeramikës së prodhimit vendas edhe qeramikës korintike, e importuar në shekullit të 8-të para Krishtit, çka dëshmon se Butrinti kishte lidhje të ngushta tregëtare dhe kulturore me botën antike mesdhetare.

 

BUTRINTI GJATË PERIUDHAVE TË NDRYSHME HISTORIKE

 

Në burimet e shkruara Butrinti përmendet për herë të parë në shekullin e 6-të para Kr. në veprën “Europa” të gjegrafit grek Hekateu i Miletit. Në fillimet e tij futej në bashkësinë e Kaonëve e më vonë në shtetin e Epirit. Në kohën e Jul Çezarit dhe Augustit u kthye në koloni romake. Më vonë hyri në zotërimet e Venedikut, prej të cilit e shkëputi Ali Pashë Tepelena. Me rënien e Pashallëkut të Janinës Butrinti kaloi nën sundimin osman, që zgjati deri në vitin 1913.

 

Në vitin 1435 qëndroi në Butrint humanisti italian Qiriako d’Ankona, i cili përshkoi disa monumente që gjendeshin në tokë duke vlerësuar i pari rëndësinë e Butrintit si qendër arkeologjike. Ishte arkeologu italian M. Ugolini, i cili në vitin 1928 realizoi, që në fushatën e parë zbulime sensacionale si: Porta Skea, Pusi i Junia Rufinës, Banjat romake, Babtisteri dhe mbi të gjitha Teatri, ku gjeti dhe skulpturën me kokën e Deas së Butritit. Misioni arkeologjik italian i vazhdoi punimet deri në vitin 1943.

Pas Luftës së Dytë Botërore kërkimi arkeologjik në Butrint do të vazhdontë nën kontrollin e Institucioneve shqiptare dhe pas 1989 në bashkëpunim me Institucione të huaja.

Vendbanimi më i hershëm në Butrint ka të ngjarë të ndodhej në kodrën e Akropolit, një bërthamë e vogël e Epokës së Bronzit të Vonë, që mund të ketë zënë faqen dhe kulmin më të lartë lindor të kodrës. Ndoshta ky venbanim i vogël ka qenë i rrethuar me mure brenda të cilëve, qe edhe sanktuari.

 

Ndërkohë qyteti u bë një nga pikat kryesore të një fisi lokal të quajtur Kaon (shekujt 7-6 para Kr.), që e kishte qendrën në Finiq. Krijimi i një kolonie korintike në Korfuz në v. 600 para Kr. stimuloi shkëmbimet tregtare dhe për pasojë zhvillimin ekonomik dhe social të Butrintit. Këtë e tregojnë edhe sasitë e importuara të qeramikës korintike, që janë gjetur në Akropolin e qytetit.

 

Më vonë, gjatë periudhës helenistike, kur Butrinti dhe Kaonia u bënë pjesë e Epirit, qytetit u shndërua në një koinon vetqeverisës të quajtur Prasaib. Jeta e qytetit mori një hov të mëtejshëm. Butrinti u bë qendra kryesore e territorit të Prasaibëve me një numër qytetesh dhe qendrash të banuara përreth (Karalibeu, Qenurio, Kalivo, Vagalat, Malathre, Çuka e Ajtoit, Katajton).

Mbishkrimet janë një burim i pasur informacioni për mënyrën e qëverisjes së qytetit, si dhe për përkatësinë etnike të banorëve të Butrintit. Gjithashtu ato janë një dëshmi e shkruar për përënditë që adhuroheshin në Butrint, meqënëse shumica e skllevërve çliroheshin nga skllavëria për nder të këtyre përëndive. Ato na tregojnë se roli i gruas në shoqëri ishte më i rëndësishëm se në Greqinë klasike. Ligji në Epir i njihntë gruas të drejtën e pronës dhe trashëgimisë, si dhe të lirimit të skllevërve, që ishin në pronësi të saj.

Qyteti zbatonte politikën e tij si shpallja e luftës dhe paqes, administrimin e të ardhurave, nënshkrimin e traktateve e marrëveshjeve si dhe shpalljen e ligjeve të reja. Qyteti gjithashtu kishte një sërë institucionesh civile, duke filluar nga një numër këshillesh, duke vazhduar me strategët, komandantët ushtarakë dhe një udhëheqës civil të lidhjes, prostatët udhëheqësi i pushtetit ekzekutiv dhe kryepriftin e të gjithë tribusë.

Evidencat arkeologjike për këtë fazë të jetës së qytetit, paraqesin qartë forcimin e tij. Tempulli dhe teatri dëshmojnë për rritjen e nevojave të tij kulturale. Muri mbrojtës jugor, i cili më pas zgjeroi dhe zonën e qytetit, datohet gjithashtu në këtë periudhë. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti, që kjo zonë e shtuar përkonte me qendrën kulturore, teatrin, tempullin dhe agoranë.

 

Gjatë pjesës më të madhe të historisë së tij të lashtë, Butrinti funksionoi si një qendër kulti kushtuar Asklepit, perëndisë së shëndetit. Besimtarët duhej të flinin në faltore, duke shpresuar të shihnin ndonjë ëndërr ose vegim, që do të sillte shërimin e tyre nga sëmundjet. Priftërinjtë dhe mjekët kryenin rite për interpretimin e ëndrrave dhe dhënien e barnave shëruese. Faltorja tërhiqte besimtarë të shumtë nga i gjithë rajoni. Ata i kushtonin dhurata perëndisë Asklep, në shenjë nderimi, për të siguruar shërimin e tyre. Shumë nga këto objekte janë zbuluar gjatë gërmimeve të bëra në faltore, në fund të viteve 1920. Në Butrint adhuroheshin edhe përëndi të tjera, si Apoloni, Artemisa, Athinaja, Demetra dhe Zeusi.

 

Me rëndësi në historinë e Butrintit është lufta e tretë Romake -Maqedonase, e vitit 168 p. Kr, ku Filipi V i Maqedonisë pësoi humbjen përfundimtare. Pas kësaj Roma vendosi kontrollin mbi bregun lindor të Epirit, duke shkatërruar plotësisht qytetet aleate të Maqedonisë, si Antigonenë duke kthyer në skllevër shumë Epirotë. Butrinti duke qenë aleat me Romën i shpëtoi shkatërrimit.

 

Pas kësaj, historia e Butrintit ishte gjithnjë e më e ngatërruar me politikën romake. Epiri u bë një vend i preferuar i shumë romakëve duke përfshirë, në shekullin e parë, Titi Pomponius Atticus, mik dhe bashkëpunëtor i Ciceronit. Por interesi i Romës në këtë zonë kishte lindur kohë më parë. Historiani Polib në letrat e tij na lajmëron për praninë e tregtarëve nga Italia në Butrint. Ajo që e tërhoqi Perandorinë Romake më shumë ishin rezervat natyrore të vendit, pozicioni i favorshëm si një qendër tregtare, ku mund të arrije si nga deti, ashtu edhe toka, si edhe pozicioni strategjik si një bazë detare, ku çdo flotë mund të ankorohej dhe të ndihej e sigurtë.

 

Gjithësesi, qyteti u kthye në boshtin qëndror të luftërave civile romake midis Çezarit e Pompeit, dhe Oktavianit (Augustit) e Mark Antonit dhe aleates së tij Kleopatrës së Egjiptit, që u bënë përgjatë këtij bregdeti. Pas fitores së tij ndaj Pompeit, Jul Çezari në vitin 44 p.Kr. u përpoq të krijojë një koloni veteranësh në Butrint. Ky hap ishte shumë i rëndësishëm në strategjinë e Çezarit për të kontrolluar Greqinë Lindore e në këtë mënyrë dhe rrugën e kalimit nga Adriatiku në Egje, por ky plan u kundërshtua nga Atikus dhe Ciceroni. Megjithatë, vizioni i Çezarit i mbijetoi vdekjes së tij dhe brenda 15 vjetësh në udhëheqjen e Augustit dhe në vazhdën e fitores së tij në Atikum u krijua kolonia në Butrint.  Kështu, Butrinti tanimë i lidhur me qytetin fitimtar të Nikopojës dhe jo më në hijen e Korfuzit, do të lulëzonte në më pak se dy breza.

Mbërriti një fluks kolonësh nga Italia edhe pse numri i popullsisë vendase mbeti dominant. U projektuan dhe u ndërtuan një forum, një ujësjellës. Më vonë edhe teatri u rikonstruktua. U ndërtuan një numër shumë i madh termash private dhe publike, gjimnazi dhe tre nimfe. Statuja të familjes përandorake stolisin teatrin dhe hapësira të tjera publike. Fundi i shekullit të 1-ë para Kr. ishte një periudhë e begatë për Butrintin dhe banorët e tij. Qytetarët gëzonin një standart të lartë jetese, enët prej qelqi dhe ato luksoze ishin të pranishme në shumë shtëpi.

 

Gërmimet e fundit arkeologjike, kanë treguar se qyteti u zgjerua dhe u shtri në Fushën e Vrinës, përtej Kanalit të Vivarit. Lagjia e re u ndërtua sipas një plani urbanistik. Butrinti lidhej me lagjen e re me anë të një ure dhe një ujësjellësi në katin e sipërm, një vepër e vërtet arkitektonike, që mundësonte furnizimin e Butrintit me ujë nga Xarra. Ujësjellësi është përdorur si simbol në monedhat e periudhës së Augustit dhe të Neronit.

 

Në Diaporit, në bregun më të largët të Liqenit të Butrintit, u ndërtua një vilë madhështore, me ambiente luksoze dhe kopshte me pamje nga Liqeni. Ne dimë se Pompon Atiku, skllavopronari i pasur romak, ka jetuar në një vilë të tillë diku në Butrint. Këtu janë zbuluar një numër i madh amforash dhe enësh tavolinë, të cilat dëshmojnë për lidhjet tregtare me Mesdheun perëndimor dhe lindor. Importi përfshinte: vaj nga Spanja, enë tavolinë nga Tunizia dhe Azia e Vogël, verë nga Italia, Kreta dhe Siria, si dhe enë kuzhinë nga Egjeu.

 

Butrinti, njohu një zhvillim të ri urbanistik, gjatë Periudhës së Vonë Romake, në shekullin e 3-të. Ai ndryshonte shumë nga  qyteti i shekujve 1-2. Ndonëse zonat publike të qytetit romak po e humbnin dukshëm funksionin e tyre publik, ndërtesat romake sugjerojnë se një pjesë e banorëve vazhdonin të zotëronin pasuri të konsiderueshme. Në Fushë të Vrinës rreth shekullit të 3-të, shumë banesa u braktisën, përvec një banese e cila u rinovua pjesërisht në fund të këtij shekulli, por pa arritur madhështinë e mëparshme. Ndërsa brenda në Butrint në Pallatin Trikonkë, gërmimet dëshmojnë për një shtëpi, e cila nga shekulli i 3-të pas Kr. u bë gjithnjë e më madhështore. Tani, arkitektura u përdor gjithnjë e më shumë në sferën private për të shprehur marrdhëniet shoqërore.

 

Ndoshta për shkak të lëkundjeve të forta sizmike në shekullin e 4 pas Kr. Butrinti rreth vitit 358 filloi të ndryshojë, pjesë të qendrës së qytetit dhe  të rrethinave filluan të braktiseshin. Por, në fund të këtij shekulli e në vazhdim u ndërmorën rindërtime të ndryshme si në Pallatin Trikonkës. Në shekullin i 5-të pas Kr., Butrinti ra pre e dyndjeve shkatërruese vandale. U ndërtua një mur i ri fortifikues duke u shtrirë përgjatë gjithë bregut të kanalit, mbase nga frika e sulmeve vandale ose të Ostrogotëve, që në udhëheqjen e mbretit Totila në vitin 551 pas Kr. pushtuan Korfuzin, ishujt e Subotës dhe Onhezmin (Sarandën).

 

Mënyra e jetësës ndryshoi rrënjësisht. Shtëpitë u bënë më të vogla dhe më të thjeshta, me katët e sipërme të ndërtuara me dru. Shpenzimet më të dukshme u bënë për ndërtimin e kishave, këtu përfshihet edhe Bazikika në Fushën e Vrinës, e cila u ndërtua mbi vilën e përmendur më lart. Ndërsa në Butrint në çerekun e dytë të shekullit të 6-të, u ndërtua Baptisteri dhe Bazilika e Madhe.

 

Gjatë shekullit të 6-të pas Kr., veprimataria bujqësore filloi të zhvillohej mes rrënojave të qytetit, ndërsa të vdekurit, nganjëherë, varroseshin mes mureve të rrëzuara. Skeletët e zbuluara të kësaj periudhe kanë shenja sëmundjesh si skorbuti dhe anemia, të shkaktuara nga kequshqyerja.

Pas ndërtimit të godinave të rëndësishme fetare filloi edhe rënia e shpejtë e ekonomisë së Butrintit. Ndoshta për shkaktë të ngritjes në masë të taksave, si rezultat i përpjekjeve të Justinianit për bashkimin e Perandorisë Romake. U shfaqën pakënaqësi në rradhët e popullsisë, spikat rënia e tregëtisë dhe sulmet barbare.

 

Në fillim të shekullit të 7-të  në vend që të zihej akropoli, Kalaja e Butrintit duket se ishte vendosur në dy kulla në anën perëndimore të qytetit të poshtëm përballë kanalit. Të dy kullat u dogjën dhe u rrëzuan dhe vulosën një sasi të rrallë objektesh që datohen rreth vitit 800. Gjatë shekujve 9 dhe 10 në mesin e rrënojave të qytetit antik gjendeshin banesa prej druri dhe komplekse kishash.

 

Sidoqoftë, fortifikimet duket se kanë mbetur në përdorim dhe qyteti ka qenë sulmuar të paktën një herë në fillim të mesjetës siç del nga mbetjet e djegura të gjetura brenda kullave të murit mbrojtës perëndimor.

 

Riorganizime dhe rindërtime duket se ka pasur gjatë periudhës së mesme Bizantine, u ngrit një qendër administrative lokale në një kompleks kishtar të rindërtuar në fushën e Vrinës. Një sërë vulash prej plumbi të dokumenteve zyrtare nga disa zyrtarë të ndryshëm bizantinë janë gjetur në këto rrënoja, përfshi edhe Vulën e Eunukut të dhomave të shenjta të gjumit të pallatit perandorak të Kostandinopojës. Një simptomë e rilindjes është edhe shtimi i interesit strategjik mbi Butrintin. Në periudhën 1081 – 1084 qyteti ishte skenë e konflikteve midis Perandorisë Bizantine dhe ekspansionit të shtetit Norman të Italisë së jugut. Në 1085 flota normane gjatë tërheqjes së saj nga Korfuzi u asgjësua në brigjet e Butrintit nga Republika Veneciane, e cila kishte bërë aleancë me bizantinët për të frenuar shtrirjen e normanëve në Adriatik. Kjo fitore shtyu Venecian drejt rrugës së dominimit të tregëtisë së Mesdheut.

Venecia vazhdimisht organizoi konspiracione kundër bizantinëve të cilët pas kryqëzatës së parë (1096-1099) ishin dobësuar shumë. Kryengritjet anti-perëndimore të vitit 1182 në Kostandinopojë ishin udhëhequr nga venecianët, për këtë shkak kryqëzata e katërt ishte kundër Kostandinopojës, e cili në vitin 1204 u dogj dhe u plaçkit nga kryqtarët.

Në 1205 menjëherë pas ndarjes së perandorisë byzantine, Butrinti iu dha Venecias, e cila me rigjenerimin e tregtisë mesdhetare rigjallëroi jetën në Butrint.

Venecianët lejuan Despotatin e Epirit nën drejtimin e Mihal Konmeni Dukas të qeverisë rajonin si vasal i tyre, në këmbim të garancisë për mbrojtje dhe tregëti të lirë.

 

Në vitin 1258 Butrinti kaloi nëpërmjet një lidhjeje martesore në duart e Manfred Hohenstaufen, mbretit të Siçilisë, i cili në 1279 ia dorëzoi territoret e tij mbretit të Napolit, Karlit I Anzhu.

Prej kësaj kohe, për mëse një shekull qyteti u vendos nën sundimin e anzhuinëve. Dhjtëvjeçarët e fundit të shekullit 13-të ishin të trazuar për historinë e Butrintit e si pasojë ngritja e fortifikimeve të reja dhe restaurimi i atyre ekzistuese, morën hov dhe u bënë domosdoshmëri. Në këtë kontekst u rifortifikuan pjesë të murrit rrethues të qytetit të poshtëm, atij perëndimor dhe kështjella në akropol. Pas vdekjes së mbretit Karl III Anzhu, Butrnti në vitin 1386 u ble nga Venecianët, të cilët e mbajtën qytetin deri në fund të shekullit të 18-ë.

 

Qyteti e kishte humbur madhështinë e tij, por ruante akoma rëndësinë si një pikë strategjike në kanalin e Vivarit, për të kontrolluar peshkimin e bollshëm dhe sigurisht u bë një bastion për një rezistencë ndaj turqve, të cilët pushtuan pjesën më të madhe të Ballkanit gjatë shekujve 15-16.

Një fortësë trekëndore u ndërtua në ishullin buzë kanalit të Vivarit, pasuar nga ndërtimi i një kulle në buzë të qytetit për të mbrojtur rezervuarët e peshkut në liqenin e Butrintit. Burimet flasin për riparim të ndjeshëm të fortifikimeve në mesin e shekullit të 17-ë, një periudhë kur peshkoret kalonin sa në duart e venecianëve, në ato të otomanëve.

 

Përpjekjet për të marrë Butrintin u bënë në 1537 në kohën e Sulltan Sulejman të Madhërishmit (thuhet se sulmoi Korfuzin nëpërmjet një ure prej anijesh të vendosura në një linjë, që kalonte përmes ngushticës duke filluar nga Butrinti), nga sulltan Selimi II në 1571 dhe përsëri në 1716 në kohën e Sulltan Ahmetit III .

 

Butrinti u pushtua nga ushtarët e Napoleonit më 1796, pasi Napoleoni pushtoi republikën veneciane dhe zotërimet e saj, por shumë shpejt tokat përreth Butrintit u bënë pjesë e pronave të Perandorisë Otomane dhe vazhduan të ishin “turke” deri në 1912, kur Perandoria Otomane u dëbua nga Europa dhe u krijua shteti i ri shqiptar.

Në fillim të shekullit të 19-ë ato mesa duket kultivoheshin në pronësi të feudalëve në kuadrin e një plani për mbrojtjen e bregdetit otoman kundër korsarëve nga Afrika e Veriut. Qeveritari më i rëndësishëm i zonës në këtë periudhë ishte i famshmi Ali Pashë Tepelena i cili në 1807 ndërtoi një kështjellë në hyrje të kanalit të Vivarit për të parandaluar sulmet nga perëndimi.

 

BUTRINTI  SI QËNDËR KULTI

 

Gjatë pjesës më të madhe të historisë së tij të lashtë, Butrinti funksionoi si një qendër kulti kushtuar Asklepit, perëndisë së shëndetit.

Besimtarët duhej të flinin në faltore, duke shpresuar të shihnin ndonjë ëndërr ose vegim, që do të sillte shërimin e tyre nga sëmundjet. Priftërinjtë dhe mjekët kryenin rite për interpretimin e ëndrrave dhe dhënien e barnave shëruese. Faltorja tërhiqte besimtarë të shumtë nga i gjithë rajoni.

Ata i kushtonin dhurata perëndisë Asklep, në shenjë nderimi, për të siguruar shërimin e tyre. Shumë nga këto objekte janë zbuluar gjatë gërmimeve të bëra në faltore, në fund të viteve 1920. Në Butrint adhuroheshin edhe përëndi të tjera, si Apoloni, Artemisa, Athinaja, Demetra dhe Zeusi.