Kulla venedikase

Kjo kullë daton në shekullin XVI, e cila  së bashku me fortesën trekendore që ndodhet matanë kanalit të Vivarit përdorej për ruajtjen e mjeteve të peshkimit, i cili ishte burimi kryesor ekonomik i Butrintit në atë kohë. Kulla është një ndërtesë katrore e drejtë me dy kate dhe me frëngji. Në kullë hyhet me anë të një shkalle dhe një ure që ngrihet në anën lindore. Mu përpara kullës ndodhen rrënojat e një banje romake të shekullit II e.s. me dhoma me ngrohje dhe një dhomë tetëkëndëshe në qendror, e para e shumë ndërtesave të tilla që mund të shihen në qytetin antik.


 

Tempulli i Asklepit 

Ky tempull i është kushtuar zotit të mjekimit, Asklepit. Asklepi ishte një kurues nga lashtësia kaq i aftë sa që mund të ringjallte dhe të vdekurit dhe prej kësaj atë e vrau Zeusi në një moment xhelozie. Kulti i tij ishte shumë popullor në botën antike. Tempulli kufizohet në jug nga muri me blloqe i shekullit III ose IV p.e.s., i cili shërbente edhe si një vijë e hershme mbrojtëse e qytetit edhe si temenos, ose kufiri i zonës së shenjtë. Pas murit të qytetit nga e majta ndodhen disa mure që datojnë nga periudha helenistike deri në antikitetin e vonë.

Rreth e rrotull ka pasur tempuj të vegjël, arka, stela me dedikime dhe baza statujash, kurse në anën veriore kishte një çezme pastrimi me tulla. Kjo ishte hyrja publike për në teatër. Tempulli i vërtetë i Asklepit ndodhet në një vend të spikatur  në një tarracë masive të ndërtuar me blloqe mbi teatër. Rrënojat e tij mund shihen nga orkestra. Kjo është një vendosje tipike helenistike e tempullit dhe teatrit, me zotat që shohin nga lart.


 

Teatri

Teatri i Butrintit i daton shekullit IV-III p.e.s. Ka mundësi të jetë ndërtuar nën sundimin e mbretit Pirro të Epirit, kushëririt të Aleksandri të Madh dhe gjeneralit të famshëm që udhëhoqi pushtimin e pasuksesshëm të Italisë, e nga i cili vjen shprehja ‘Fitore e Pirros’.  Kavea, ose vendet e uljes janë gërryer në faqe të kodrës në mënyrën greke dhe mbahen në anët lindore dhe perëndimore nga mure me blloqe që quhenanalema. Vendet ndahen në seksionin e sipërm dhe të poshtëm me anë të një rrugice gjysmë rrethore të quajtur diazoma. Ka pesë seksione që ndahen me shkallë. Në rreshtin e tretë mund të shihni një mbishkrim me dedikim, i cili tani është i palexueshëm dhe ka dhe mbishkrime të tjera me dorë nëpër blloqe të ndryshme tek diazoma. Rreshtat e parë quhen proedri, ose vendet e nderit për magjistrat dhe qytetarët udhëheqës. Ato janë të gdhendura në formën e stolave që mbarojnë me këmbë luani. E gjithë kavea u zmadhua nga romakët, ndoshta aty rreth fundit të shekullit II të erës së re. Orkestra e shtruar me gurë ishte pika qendrore e teatrit helenistik. Tani kjo pjesë është nën ujë dhe është mbuluar nga skena moderne. Në jug të orkestrës ndodhej ndërtesa e skenës (që përkthehet fjalë për fjalë pamje ose peizazh) dhe skena e teatrit. Megjithatë, gjatë rikonstruksionit të shekullit II e.s. të shumicës së kompleksit, skena u rindërtua plotësisht si një ndërtesë e madhe dykatëshe e stilit romak, me përpunime arkitektonike dhe me veshje mermeri.

Gjatë gërmimeve të viteve 30, në skenë u gjet një grup i madh skulpturash të cilat ishin në faza të ndryshme të thyerjes. Grupi i skulpturave përmbante portrete të bukura të Augustit, gruas së tij, Livias dhe gjeneralin e madh Mark Vipsan Agripa, fituesin e betejës së Aktiumit.


Stoa helenistike, agoraja dhe forumi romak

Tek kodra e akropolit ndodhen rrënojat e një stoe helenistike, e cila ka pasur tre porta trapezoide me mensola. Sipër ka një panel me afreske shumë të dëmtuar, që tregon një paradë shenjtërish dhe profetësh, gjithë çka mbetur nga kisha bizantine e shekullit XIII. Më poshtë ndodhet një pus i shenjtë, i cili përdorej dhe si burim uji publik. Pllaka prej guri gëlqeror në fillim ka të prera të thella të cilat janë bërë nga litarët që përdoreshin për të ulur dhe ngritur kovat me ujë.

Pranë pusit ka një kompleks të gërmuar rishtas, i cili i korrespondon pjesës veriore të forumit romak dhe ka mundësi edhe agorasë para romake, qendra e jetës së qytetit antik dhe qendra e jetës së tij politike dhe tregtare. Sheshi i hapur ndodhej në jug të monopatit, në pjesën e ulët. Në veri të pjesës së shtruar ndodhet një ndërtesë me tre dhoma, e cila mund të ketë qenë kapitoli, ose faltorja e zotave kryesorë romakë, Jupiterit, Junos dhe Minervës. Forumi filloi të mos përdorej më në shekullin III e.s. Andej nga antikiteti i vonë forumi i Butrintit ishte i mbytur nga hedhurinat. Ndërtesa trepjesëshe, ose ajo çka kishte mbetur, duket se u shndërrua në banesë private, ndërsa jashtë saj u ndërtuan baraka prej druri në sheshin e forumit të vjetër. Në mesjetë forumi ishte zhdukur dhe zona u rindërtua me një numër tarracash si pjesë e qytezës së rinovuar mesjetare.


Gimnasiumi

Është një nga komplekset me enigmatike që daton në shekujt I-II- të.  Ai paraqitet si një fontanë romake me tulla, i rrethuar me dhoma, me mozaikë me zogj uji dhe një kupë cantharus në majë të foleve. Ka të ngjarë që të ketë pasur ndonjë funksion fetar. Në mesjetë u shndërrua në kishë dhe pllaka me mbishkrim që tani gjendet nën ujë përdorej si altar. Ngjitur me ‘gimnasiumin’ ka një monument katror prej guri, i cili ka qenë i mbuluar me rrasa guri, me një dhomë me kupolë dhe pa derë. Ndonëse nga forma ngjan me një varr, kjo mund të ketë qenë një cenotaf, ose heroon, një faltore për heronjtë që ndoshta kujtonte heronjtë që lidheshin me origjinën antike të Butrintit si Enean dhe Helenin.


Pallati i Trikonkës

Pallati trikonk është një nga shtëpitë e mëvonshme romake të sofistikuara të cilat njihen nga vendbanimet rreth Mesdheut, por ndryshe nga trikonku i Butrintit, pak prej tyre janë gërmuar me standarde moderne. Në fazat e tij fillestare, në shekujt II dhe III, trikonka ishte një rezidencë modeste me krahë dhe me një portik të vendosura rreth një një trotuari me gurë dhe me një pus, i cili mund të shihet në qendër të zonës së gërmuar. Kishte dy hyrje, një nga perëndimi që të çonte tek rreshti me kolona, dhe një nga lindja që të nxirrte tek galeria e gjatë e pjesës jugore. Kjo i çonte miqtë e rëndësishëm nga një vend akostimi privat drejt e në qendër të shtëpisë. Vendosja e një mozaiku të punuar shumë hollë dhe me maska teatri në këtë pjesë të shtëpisë tregonte statusin shoqëror të pronarit dhe nivelin e tij kulturor. Shumë prej dhomave të tjera ishin të shtruara me mozaikë dhe njëri që ndodhej në atriumin hyrës përmbante një mbishkrim në greqisht që jepte informacion mbi pronarin.

Rreth vitit 425 e.s pati një zgjerim të madh. U morr dhe një copë tokë në lindje dhe e gjithë ndërtesa u rindërtua si një shtëpi qyteti madheshtore me një varg të madh kolonash në qendër, një hyrje nga detare nga kanali në jug dhe një hyrje tjetër dhe auditor që dilnin direkt në anën e qytetit. Pallati kishte mbaruar pothuajse plotësisht, ishin vendosur kolonat dhe çatitë me tjegulla, kur ndaloi puna për ndërtimin e tij. Nuk dihet pse kompleksi u braktis në këtë kohë. Ndërtesa u kthye në ndërtesë industriale, me punishte që ndodheshin në baraka druri dhe më vonë u përdor si varrezë.


Pagëzimorja

Ky është një nga monumentet kryesore të Butrintit dhe një nga pagëzimoret më të mëdha dhe më të sofistikuara të kohës së vet në të gjithë Mesdheun. Koha e ndërtimit të Pagëzimor

es mund të mësohet duke analizuar dyshemenë e shtruar me mozaik, e cila i përket periudhës rreth viteve 550-570 pas Krishtit. Kompleksi u ndërtua në formën rrethore të hapësirës qendrore. Rrethi i dyfishte prej tetë kolonash (teta është numri i perfeksionit për të krishterët) duhet të kenë mbajtur arkadat që mbanin çatinë me kupolë.

Sot, tipari qendror i baptisterit është sheshi i shtruar me mozaik. Mozaiku është kompozuar shumë bukur: skema kryesore bazohet në shtatë shirita bashkëqendrorë, dy nga të cilët përbëhen nga medaljone të thjeshtë të lidhur me njëri-tjetrin, të tjerët përmbajnë rondele me kafshë, gjithsej 69, krijesa të ndryshme katërkëmbëshe dhe shume zogj uji dhe peshq, të gjitha simbole të lidhura me pagëzimin. Në ndërtesë zhvillohej riti kompleks dhe shumë i rëndësishëm i pagëzimit. Në antikitetin e vonë e diela e pashkëve ishte e vetmja ditë në të cilën mund të bëheshin pagëzime. Baptisteri duhet të jetë rrënuar diku pas shekullit VI.


 

Bazilika e madhe

Bazilika e madhe është e fundit të shekullit V e.s. dhe është një kishë bazilikale e një madhësie të konsiderueshme.Muret e kishës sot ruhen deri në lartësinë e çatisë, duke e bërë kështu një nga bazilikat e antikitetit të vonë në rajon të ruajtura më mirë.  Ajo ka një naos qendror me mur me dritare që bien mbi çati, të ndara nga naosi në fillim të absidës (bema) me pilastra. Kishat si kjo ndaheshin nga brenda në një hierarki hapësirash, bema (hapësira para absidës) dhe naosi ishin më të rëndësishmet dhe të rezervuara për priftin. Në bazilikën e madhe të Butrintit dyshemeja e bemës mbulohet me mozaik dhe naosi me rrasa guri.

Pavarësisht nga madhësia, kjo kishë nuk ishte katedralja e parë e qytetit, e cila duhet të ndodhet diku tjetër. Kjo kishë u ndërtua nga një donator privat, ndoshta me qëllimin që ai të varrosej këtu, pasi është pa dyshim një bazilikë funerale me shumë varre nën dysheme.


Porta e liqenit (Skea)

Ajo është një tipar origjinal i rrethimit mbrojtës helenistik që del në një shkallare dhe rrugë që të çon në majë të akropolit. Shtrimi në tunelin e pjerrët të portës dhe tek blloqet mbajtës është nga periudha mesjetare.Porta u zbulua dhe gërmua nga Misioni Arkeologjik Italian në vitet 20 dhe 30 dhe u vu në qendër të propagandës fashiste pasi interpretohej si provë për vërtetësinë e legjendës virgjiliane. Arkeologu që bëri gërmimet, Luixhi Maria Ugolini, e quajti porta Skea si porta e madhe në Trojë, në kopje të së cilës thuhej se e kishte parë Enea në Butrint.


Porta e Luanit

E ka marrë emrin nga një reliev tipik luani i tipit grek që po sulmon një dem, i cili ndodhet tek arkitrau. Demi është i shtrirë përtokë dhe i duken vetëm brirët dhe koka. Luani i gdhendur është i dëmtuar dhe, siç mund ta shihni nga pjesa e bishtit, ka mundësi që ai nuk u mbarua kurrë plotësisht. Porta që ka qenë këtu në fillim ka qenë një portë tjetër me hark e tipit Helenistik me mensola, më e madhe se porta e liqenit. Një pjesë e kësaj strukture është mbuluar nga një rindërtim që është bërë në periudhën mesjetare, kur cepit të murit të kthyer nga brenda iu shtua një kullë. Skulptura e luanit u ripërdor si element i derës që të fuste në qytet.


Pusi i Junia Rufinës

Pusi, i cili njëherë e një kohë ka qenë burim uji, ka një pamje shpelle natyrale, e cila mund ta ketë bërë të duket më shumë si pus i shenjtë. Padyshim që në ujërat e tij vendoseshin dhurata duke filluar aty rreth shekullit IV p.e.s. Gjatë periudhës romake atij iu shtua një kokë pusi dhe një parmak guri me mbishkrimin:

‘Junia Rufina, mike e nimfave’

Në shekullin V ose VI pusi i shenjtë pagan u krishtërua dhe iu shtua një afresk në murin e pasmë. Kjo pikturë paraqet dy pallonj në anë të një kupe cantharus, të njëjtat simbole të parajsës dhe jetës së përhershme që shihen tek baptisteri. Megjithëse i dëmtuar nga moti dhe i zbehur, palloi djathtas mund të shihet akoma afër kamares.Në mesjetë pusi u mbyll me mur dhe iu hap një vrimë në pjesën e sipërme në mënyrë që garnizoni i kalasë të mund të mbushte ujë.


Kalaja dhe muzeu

Kalaja e rindërtuar u projektua nga Misioni Arkeologjik Italian si një imitim i një kalaje venedikase dhe u ndërtua midis viteve 1931 dhe 1940. Ish pallati i guvernatorit u modifikua tërësisht dhe u shndërrua në kullë, ndërsa muret rrethues u ndryshuan dhe u restauruan. Topat, të cilët janë norvegjezë dhe britanikë, u sollën nga italianët nga kalaja e Gjirokastrës si pajisje ushtarake që i shkonin kështjellës. Muzeu, i cili u rihap në vitin 2005, ndodhet në bodrumin dhe në oborrin e vogël poshtë kështjellës. Aty mund të shihni një ekspoze kronologjike të historisë së qytetit duke filluar nga epoka e bronzit deri në mesjetën e vonë. Ekspozita përmban dhe gjetje nga vende të tjera pranë Butrintit si Finiqi. 

Historiku i konservimit të monumenteve

Konservimi mbetet një nga çështjet më thelbësore për Parkun Kombëtar të Butrintit. Historia e konservimit të Butrintit fillon që me punën e Misionit Arkeologjik Italian në vitin 1930 ku shumë prej monumenteve u konservuan përveç kështjellës së Akropolit e cila u rindërtua. Në fillim të viteve 60-të me hapjen e rrugës së re për në Butrint, Instituti i Monumenteve krijoi një program konservimi. Instituti ngriti një skuadër prej puntorësh me përvojë të cilët merreshim me mirëmbajtjen e monumenteve brenda zonës arkeologjike si dhe organizuan një program restaurimi dhe rindërtimi për shumë monumente. Gjatë 70 viteve të fundit metodat e konservimit janë identifikuar dhe zhvilluar.Vitet e fundit projektet e konservimit janë realizuar nga Instituti i Monumenteve, Parku Kombëtar Butrint në bashkëpunim me Fondacionin Butrinti.

Në qendër të vëmendjes në ndërhyrjet konservuese, ashtu si dhe në shumë site të tjera arkeologjike në mbarë Evropën, është ruajtja e asaj çka është gërmuar. Pra praktika përqëndrohet në një survey kritik të evidencave ekzistuese dhe realizimin e më tepër studimeve rreth monumenteve sesa në realizimin e gërmimeve të reja. Projektet e konservimit vitet e fundit përveç konservimit të monumenteve dhe konsolidimit të muraturës si program pune i referohen edhe sistemimit të peisazhit, infrastrukturës së vizitorëve, realizimin e mbushjeve (backfilling) në një sërë monumentesh per parandalimin e degradimit të mëtejshëm të tyre.


Burime natyrore që mund të gjeni në Parkun e Butrintit

Parku Kombëtar i Butrintit dallohet për një shumëllojshmëri të pasur vendbanimesh. Kjo ka ardhur si pasojë e historisë së gjatë të ndërhyrjeve të njeriut dhe diversitetit të tipareve të theksuara të peizazhit, nga malet tek ultësirat dhe nga lumenjtë me ujë të ëmbël tek liqenet me ujë të kripur. Deri vonë, fusha e Butrintit në jug të Liqenit të Butrintit dhe deri në lindje të gjirit të Butrintit ishte moçalore, duke u nisur nga e kripur në ujë të ëmbël. Zona më e lartë ishte e përshtatshme për zhvillimin e pyllit, i cili nga ana e tij vende-vende stimuloi zhvillimin e tokave-kullotë për barinjtë shëtitës. Ky peizazh u transformua në shkallë të gjerë nga programi i hapjes së tokave të reja në vitet 60-70, që çoi në drenazhimin e zonave moçalore dhe në reduktimin e zonave pyjore. Pavarësisht nga këto ndryshime, intensiteti i ulët i përdorimit të tokës, që mbizotëron në këtë zone të populluar rrallë, ka ruajtur një sipërfaqe të gjerë habitatesh të pasura në lloje.


Habitatet kryesore që mund të gjenden në Park përfshijnë:

Pylli dhe shkorretet

–          Pyje dushqesh të përzier. Pyjet e dushqeve të përzier ndodhen në kodrat në veri-perëndim të Butrintit dhe në shpatet me drejtim jugor në vargmalin e Milesë. Të dy zonat e pyjeve janë mbetje të ndërhyrjeve të mëparshme, intensive, të cilat menaxhoheshin historikisht për eksport lënde drusore (Sathas 1883: 250).

Pyjet anës lumit. Këto pyje ndodhen fillimisht në vendin kryesor arkeologjik të Butrintit ku habitate të tilla si moçali i kripur dhe shkurret takohen gjatë anës veriore të Kanalit Vivarit. Ky habitat dominohet nga vidhi me frashër dhe disa iliqe.

–          Makiet. Këto ndodhen në zonat që janë të pa menaxhuara dhe ku kullotat janë të ushtruara pak. Makiet dominohen nga bimë shkurrore dhe kaçube të llojit: beronjë, sherebel, fiq, fshesë gjembaçë, ilqe dhe pishë të egër.

Në zonat e pyjeve dhe shkorreteve ndodhen habitate të rëndësishme për një varietet llojesh që përfshijnë kunadhe, dhelpra, mace të egra, derra të egër, ketra, lloje të miut të fushës dhe lakuriqëve të natës, ujq, çakall, nuselalë dhe iriq.


Habitate të thata

–          Shqopishte. Një habitat antropogjenik që ndodhet mbi kodrat e ulëta dhe në fushën e Butrintit. Shqopishta dominohet nga shkurre të ulëta, menishte gjethe sherebelë, bimë gjembore, krifshë dhe drurë shqope të rrallë e të ulët. Në këtë habitat gjejnë strehë gargull

i, pupëza, zhapiu me tri vija dhe është I rëndësishëm si strehë dimërimi për breshkën e tokës.

–          Kullota të thata. Një habitat antropogjenik që ndodhet në fushën e Butrintit. Ky habitat është shumë i kullotur dhe llojet ndryshojnë në varësi të kripshmërisë së tokës nga përmbytjet e dimrit. Speciet dominuese përfshijnë torbën e bariut, veshmiun, tërfilin dhe gjembin e arave. Habitati rrit një avifauna me harabelorë si: dervishi, bishtlëkundës të bardhë, të zi, e të verdhë, drenja e fushës, drenja e livadhit, gardelina, harabeli Spanjoll, harabeli i shtëpisë si dhe cërrla e zakonshme.

–          Bregu i zallit. Një rrip i vetëm i vogël me shkurre të larta përshkon anën e sipërme të një plazhi me gurë zalli që ndodhet midis moçalit me ujë të ëmbël dhe liqenit të Butrintit. Bishtajoret dhe mërsina dominojnë bimësinë e zonës. Në bregun e zallit ekzistojnë pak shpendë. Pjesët e zhveshura përdoren si fjetore nga pulëbardhat dhe shkurret përdoren nga bilbilthat e kënetave, bilbilthi kokëzi gushëbardhë.

Habitate e thata dominojnë Parkun e Butrintit për sa I përket sipërfaqes, por paraqesin zona më pak të shumëllojshme për sa I përket llojeve.


 

Ligatinat

–          Kullotat që përmbyten here pas here, me sezone. Ky habitat ndodhet me ndërprerje në të gjithë ultësirat. Karakterizohet nga flora që ndodhet në kullota të thata, megjithëse përmban gjithashtu elementë të florës të ligatinave me ujë të ëmbël siç është zhabina gjethe imët. Ky habitat është i rëndësishëm për shpendët shtegtarë si: baltakët, luftëtari dhe kojliku I vogël.

–          Kanalet. Kullotën e thatë e vijëzon një sistem kanalizimi. Bimësia e kanaleve diktohet nga shkalla e mirëmbajtjes dhe nga kripësia e ujit. Shumica e llojeve që hasen janë me përhapje mbarë-evropiane që përfshijnë: kallamishte, potamoxhetoni kaçurrel, zhabina gjethe celeri, rrapi dhe pellgjet e ujit me purqark. Sidoqoftë, ka vende ku bimësia kufizohet me lemna dhe alga. Ka një komunitet të veçantë zogjsh të lidhur me habitatin e kanalit. Llojet më të shquara janë: bilbili i kallamishteve, shtegtarë si çafka e verdhë, marsatoria, qyrylyku këmbëdrizë, qyrylyku i zallit dhe qyrylyku i madh. Kompleksi i kanalit është vendbanimi i vetëm për dy lloje të breshkave të ujit të ëmbël dhe është i rëndësishëm për lundërzat.

–          Moçalet me ujë të ëmbël. Këneta me ujë të ëmbël okupon rreth 7 hektarë tokë në hyrje të kanalit që lidh Liqenin e Bufit me Liqenin e Butrintit si dhe bregun lindor të Liqenit të Bufit. Këneta favorizon ekzistencën e një sërë llojesh që nuk janë të zakonshme dhe nuk shfaqen në pjesën tjetër të Parkut. Këtu mbizotërojnë kallami i zakonshëm dhe një komunitet ujor i shumëllojshëm ku bëjnë pjesë : bishti i kalit, filipendula e rëndomtë dhe gjethedelli heshtor. Këneta favorizon faunën e mëposhtme : shqipen e kënetës, bilbilin e ujit, bilbilin e kallamishteve, bilbilin e kënetave, bretkosën këmbëgjatë, bretkosën e zakonshme, bretkosën e drurëve dhe bretkosën e Epirit.

–          Këneta me ujë të kripur dhe llomishtja e bregut. Këneta haset si një rrip i ngushtë përgjatë bregut jugor të Liqenit të Butrintit në grykën e Kanalit të Vivarit dhe përgjatë Gjirit të Butrintit. Bimësia mbizotërohet nga minueri, tufa marine dhe aster tripol. Këneta dhe llomishtja e bregut janë shumë të rëndësishme për shpendët shtegtarë ujorë si: kojliku i zi, çafka e përhime, çafka e madhe e bardhë, çafka e vogël e bardhe dhe dallëndyshe të zakonshme deti. Përveç këtyre në këtë habitat banojnë tufëza pulëbardhash të përziera me pulëbardha rozë, pulëbardha të zakonshme, kokëzeza, dallëndyshe kokëzezë dhe kojliku.

Habitatet e ligatinave u pakësuan në numër nga programet e drenazhimit dhe hapjes së tokave të reja. Si rezultat, u pakësuan llojet që ato favorizonin. Ligatinat janë me një rëndësi shumë të madhe për amfibët, insektet, llojet e shpendëve dhe rritja e zonës së ligatinave do t’i bënte mirë biolarmisë tërësore të Parkut Kombëtare të Butrintit.


Liqenet dhe Lagunat

–          Liqeni i Butrintit. Liqeni i Butrintit mbulon një sipërfaqe prej 16 km² dhe lidhet me Kanalin e Korfuzit nëpërmjet Kanalit të Vivarit. Liminologjia ndahet qartë në dy shtresa. Shtresa e sipërme (afërsisht 8m e thellë) është e pasur me oksigjen (8-9mg/lit) dhe është e përshtatshme për shumë kultura të ndryshme detare. Kripshmëria e kësaj shtrese ndryshon sezonalisht nga 15/gr/litër në dimër në 33 gr/lit në verë. Shtresës së poshtme (afërsisht 14m në thellësi) i mungon oksigjeni dhe ka përbërje sulfuri (shih faqen 00 më poshtë). Liqeni është i pasur në lloje të peshkut si: qefulli, ngjala, kocja, peshq të familjes labridae, sardelja dhe peshq të familjes engraulidae. Midhjet janë molusqet mbizotëruese dhe janë kultivuar që në 1968-ën. Brigjet veriore dhe jugore të liqenit përbëhen nga ligatina të kripura të shoqëruara nga popullime zvarranikësh, amfibësh dhe shpendësh (shih habitatet e kënetave dhe Liqenit të Bufit më poshtë)

–          Liqeni i Bufit (gjithashtu njihet si Liqeni Rrëza). Liqeni i Bufit mbulon një sipërfaqe prej 83 ha dhe ka një thellësi mesatare prej 1m. Liqeni ushqehet nga disa burime me ujë të ëmbël. Më përpara derdhej në Liqenin e Butrintit por tani i ndan një kanal që lejon ujin të rrjedhë në të dy kahet midis liqeneve. Si pasojë, uji i kripur i Liqenit të Butrintit e ka rritur nivelin e kripshmërisë të Liqenit të Bufit (5gr/lit). Liqeni ushqen një kënetë me ujë të ëmbël si dhe peshq të shumëllojshëm, amfibë dhe popullime zvarranikësh që përfshijnë qefullin, krapin, ngjalën, bretkosën këmbëgjatë, bretkosën e zakonshme, bretkosën e drurit, bretkosën e Epirit, breshkën e ujit qafë vijëzuar, thithëlopën dhe gjarprin e vogël të ujit.

–          Liqeni Armurë. Liqeni Armurë është një lagunë me ujë të kripur që ndërpritet nga Kanali i Korfuzit nëpërmjet disa ishujve të mbuluar nga një kënetë me nivel të ulët kripe. Laguna është e pasur me peshq shtegtarë si qefulli dhe molusqe. Në këtë drejtim kërkohet punë më e madhe kërkimore në këtë zonë si dhe në zonat e tjera bregdetare për të përcaktuar karakteristikat e habitatit dhe të llojeve që gjejnë strehë në të.

Parku Kombëtar i Butrintit është i kufizuar nga një sërë habitatesh që plotësojnë shumëllojshmërinë dhe fuqizojnë potencialin e rigjallërimit të llojeve duke rritur larminë dhe sipërfaqen e habitateve të shumtë. Këto përfshijnë:

-Kodra të larta dhe male në pjesën jugperëndimore, në lindje dhe në juglindje që ushqejnë shumimin e popullatave të shpendëve grabitqare ku përfshihet shqiponja bishtëvijëzuar si dhe lloje të kërcënuara në rang botëror siç është shqiponja e detit dhe skifteri këmbëverdhë.

-Ligatinat me ujë të kripur dhe ujë të freskët në bregun verior të Butrintit që janë bazë shumë e mirë ushqyese për shpendët e ujit.