Parku Kombëtar Butrint

 KALAJA & MUZEU

 

Ndërtimi i kalasë së akropolit u fillua nga bizantinët, më pas u përdor nga anzhuinët gjatë pushtimit të tyre, por shumë nga muratura e sotme duket se është e periudhës Veneciane. Në fakt e gjithë maja e kodrës së akropolit përfshihej në kështjellë, shumë nga zona e rrethuar me mure që shihet sot është krijuar nga Misioni Arkeologjik Italian i viteve 1928 – 40. Për të strehuar gjetjet arkeologjike të zbuluara gjatë gërmimeve italianët rikonstruktuan rrënojat e kalasë së kapitenit venecian të Butrintit që gjendeshin në akropolin shkëmbor të qytetit, ku në 1940 misioni italian hapi dhe një muze. Në këto vite Muzeu u vendosur brenda kalasë së rikonstruktuar në Akropolin e qytetit antik. Në oborr u ekspozuan objektet prej mermeri si statujat, mbishkrimet, etj ndërsa zbulimet më të vogla në një dhomë në krah të oborrit. Në vitet ‘60 muzeu përmbante materialin arkeologjik, të zbuluar nga Misioni Arkeologjik Italian. Gërmimet sistematike e bëra gjatë viteve 1960-1980, nga arkeologët shqiptarë, zgjeruan koleksionin e gjetjeve dhe njohuritë mbi Butrintin, të cilat u ekspozuan nëpërmjet disa rikonstruksioneve të Muzeut dhe, në mënyrë të veçantë atij, të vitit 1988, kur ai mori formën më të plotë, duke prezantuar historinë e gjatë shumëshekullore të qytetit. Vitet 90-91 dhe trazirat civile të 1997 ishin periudha të vështira për Shqipërinë, dhe kjo gjë u manifestua dhe në Butrint nga grabitja e muzeut të vjetër. Midis viteve 2000-2005 dhe 2008 Ministria e Kulturës, Parku Kombëtar i Butrintit në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, Fondacionin Butrinti dhe institucione të tjera shqiptare dhe të huaja punuan për gjetjen e objekteve të vjedhura dhe për t’i risjellë në Butrint. Ky bashkëpunim i frytshëm dha rezultatet e tij në verën e vitit 2005 kur ambienti i muzeut u rikonstruktua dhe u pasurua me materialet e zbuluara nga gërmimet e përbashkëta të Institutit Arkeologjik dhe Fondacionit Butrinti, që nga viti 1994. Rihapja e muzeut, në Tetor të 2005, u mundësua nga mbështetja dhe ndihma financiare e Parkut Kombëtar të Butrintit, Institutit të Arkeologjisë, Fondacionit Butrinti, dhe Fondacionit Leventis. Historia e qytetit me lindjen, zhvillimin e rënien e tij, shtjellohet nëpërmjet materialit arkeologjik dhe burimeve të shkruara të autorëve antikë. Paraqitja edhe e qendrave të tjera, më të vogla, të banimit në zonën përreth Butrintit sqaron më mirë kushtet e lindjes e lulëzimit të qytetit të Butrintit gjatë antikitetit dhe periudhës romake. Brenda periudhës antike vend të veçantë zënë pasqyrimi i qarkullimit monetar si dhe mbishkrimet e shumta të Butrintit, të cilat flasin edhe për organizimin shoqëror e politik të qytetit. Antikitetit të Vonë dhe periudhës bizantine i është kushtuar një mjedis ku nëpërmjet vitrinave e paneleve vihet në pah tkurrja e qytetit dhe kthimi i tij në një qendër fetare. Materiali i ekspozuar në muze, numri i madh i monumenteve të zbuluara e të ruajtura mirë, si dhe mjedisi pitoresk, me tabelat shpjeguese përkatëse, e rritin shumë informacionin që merr vizitori. Gjithë përmbajtja e muzeut shtjellohet mbi bazën e tre kritereve; ai kronologjik, që synon të japë zhvillimin e qytetit në periudha të ndryshme kohore duke filluar nga parahistoria e thellë (epokat e gurit ) deri në rënien e tij gjatë mesjetës; ai tematik, për të dhënë aspekte nga jeta e përditshme ekonomike e shoqërore si zejtaria, tregëtia, marrdhëniet me rajonin dhe Mesdheun, arti, kulti, arsimi, etj.; dhe ai didaktik që realizohet nëpërmjet përdorimit të paneleve, hartave, skicave, maketeve, rikonstruksioneve tripërmasore të monumenteve kryesore etj. Si i tillë, Muzeu Arkeologjik i Butrintit, është muze me standarde bashkëkohore dhe shumë i veçantë në fushën e tij.